EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Shkëndija pa Pollozhanin në Edinburgh për shkak të vizës, trajneri bashkohet me ekipin ditën e ndeshjes Football

Shkëndija pa Pollozhanin në Edinburgh për shkak të vizës, trajneri bashkohet me ekipin ditën e ndeshjes

By Elite Sport Vizion ·

KF Shkëndija do të përballet të enjten me Hibernianin në Edinburgh, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të UEFA Conference League, por përgatitjet e kuqezinjve në Skoci janë zhvilluar fillimisht pa kryetrajnerin Artim Pollozhani.

Për shkak të një vonese në procedurën e pajisjes me vizë për hyrjen në Mbretërinë e Bashkuar, Pollozhani nuk udhëtoi së bashku me skuadrën dhe mungoi si në konferencën zyrtare për shtyp, ashtu edhe në stërvitjen e fundit para ndeshjes.

Klubi ka bërë të ditur se çështja e vizës është zgjidhur dhe Pollozhani pritet t’i bashkohet ekipit në Edinburgh gjatë së enjtes, ditën e ndeshjes, për të drejtuar Shkëndijën kundër Hibernianit.

Në mungesë të tij, para mediave u paraqitën ndihmëstrajneri Kushtrim Voka dhe sulmuesi Fabrice Tamba.

Voka e cilësoi Hibernianin si një kundërshtar me profil të fortë fizik, karakteristikë e futbollit britanik, por theksoi se Shkëndija është përgatitur për t’iu përgjigjur këtij stili.

“Kërkesat e profesorit, edhe pse nuk është në mesin tonë aktualisht, janë të qarta. Mbetet vetëm interpretimi në fushë, me bindjen dhe besimin se do të kthehemi në shtëpi me rezultat pozitiv”, deklaroi Voka.

Edhe atmosfera e zjarrtë që pritet në Easter Road nuk shqetëson stafin e Shkëndijës. Voka kujtoi eksperiencën europiane të skuadrës dhe ndeshjet e mëparshme përpara tribunave të mbushura.

“Fokusi ynë është plotësisht te fusha dhe te detyrat tona”, nënvizoi ai.

Fabrice Tamba, ndërkohë, e konsideroi përballjen me Hibernianin një sfidë të madhe për kampionët nga Tetova.

“Kemi ardhur me një motivim shumë të madh. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe një sfidë e madhe”, tha sulmuesi.

Tamba shtoi se lojtarët janë mësuar me atmosfera të tilla dhe premtoi se skuadra do të japë maksimumin në fushë.

Lajmi pozitiv për Shkëndijën është se, përveç Dimoskit, i cili nuk është në gjendje për të luajtur, pjesa tjetër e skuadrës është gati.

Hibernian–Shkëndija luhet të enjten në Easter Road Stadium në Edinburgh, me fillim në orën 20:00 me kohën e Skocisë dhe 21:00 me kohën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

FootballKF Shkëndija