
Shkëndija shkatërron Europa FC në Gjibraltar, fiton 5-0 dhe siguron kualifikimin
UEFA Conference League
GJIBRALTAR – Skuadra shqiptare KF Shkëndija, që përfaqëson Maqedoninë e Veriut në arenën evropiane, hodhi një hap gjigant drejt raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League, pasi mposhti bindshëm Europa FC me rezultatin 5-0 në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues.
Të besuarit e trajnerit të Shkëndijës zhvilluan një paraqitje dominuese në Europa Point Stadium, duke kontrolluar sfidën nga fillimi deri në fund dhe duke mos i lënë asnjë mundësi vendasve të reagojnë.
Goli i parë erdhi në minutën e 28-të, kur Fahd Richard Ndzengue Moubeti realizoi pas asistit të Endrit Krasniqit, duke i dhënë epërsinë kuqezinjve.
Vetëm shtatë minuta pas nisjes së pjesës së dytë, në minutën e 52-të, Fabrice Tamba dyfishoi shifrat. Sulmuesi vazhdoi shkëlqimin e tij edhe në minutën e 75-të, kur realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për Shkëndijën.
Në minutën e 83-të, Almir Kryeziu, i futur si zëvendësues, shënoi golin e katërt, ndërsa veterani Besart Ibraimi vulosi spektaklin në minutën e 88-të, duke e çuar rezultatin në një 5-0 të thellë.
Përveç një kartoni të verdhë për Anes Meliqin në minutën e 20-të, Shkëndija dominoi plotësisht takimin në çdo aspekt të lojës, duke kontrolluar posedimin, ritmin dhe rastet për shënim.
Ky triumf i jashtëzakonshëm praktikisht i ka siguruar kualifikimin skuadrës shqiptare për në raundin e dytë të UEFA Conference League, ndërsa ndeshja e kthimit më 16 korrik në Maqedoninë e Veriut pritet të jetë më shumë një formalitet.
Golashënuesit 28' Fahd Richard Ndzengue Moubeti (0-1) 52' Fabrice Tamba (0-2) 75' Fabrice Tamba (0-3) 83' Almir Kryeziu (0-4) 88' Besart Ibraimi (0-5)
Një fitore që konfirmon ambiciet e Shkëndijës në Evropë dhe një paraqitje që ka marrë vlerësime të larta nga mediat rajonale, të cilat e konsiderojnë skuadrën kuqezi me një këmbë në raundin e dytë të kompeticionit.