National Team
Shqipëria mposht Kosovën 3-1 dhe afrohet me gjysmëfinalen e “Taranto 2026”
Ersi Bode, Valentin Daja dhe Arlind Lleshi firmosën fitoren e parë të kuqezinjve. Edor Hajdini realizoi golin e Kosovës.
Shqipëria U-21 ka regjistruar fitoren e parë në turneun e futbollit të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi mposhtën Kosovën 3-1, duke u ngjitur në kuotën e katër pikëve dhe duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales.
Pas barazimit 1-1 ndaj Italisë në ndeshjen e parë, Shqipëria zhvilloi një tjetër paraqitje pozitive. Pjesa e parë e derbit shqiptar u mbyll pa gola, ndërsa të gjitha realizimet erdhën pas pushimit.
Bode dhe Daja hapin rrugën e fitores
Shqipëria e zhbllokoi rezultatin në minutën e 50-të me Ersi Boden, i cili dërgoi topin në rrjetë dhe i dha epërsinë skuadrës së Alban Bushit.
Në minutën e 73-të ishte Valentin Daja ai që realizoi golin e dytë, duke e vendosur Shqipërinë në një pozicion shumë të favorshëm.
Kosova u përpoq të rikthehej në lojë dhe krijoi disa mundësi, por kuqezinjtë u treguan më konkretë përpara portës.
Lleshi vulos suksesin, Hajdini shënon për Kosovën
Në minutat përmbyllëse, Arlind Lleshi shënoi edhe golin e tretë të Shqipërisë, duke vulosur fitoren e rëndësishme të kuqezinjve.
Kosova arriti të gjente rrugën e rrjetës me Edor Hajdinin, por realizimi i tij vlejti vetëm për rezultatin përfundimtar 3-1.
Sipas statistikave të ndeshjes, Shqipëria regjistroi 12 goditje, gjashtë prej të cilave në portë, ndërsa Kosova pati 11 tentativa dhe katër goditje në kuadrat. Dardanët ekzekutuan tetë goditje këndi, kundrejt dy të Shqipërisë.
Algjeria merr kreun, Shqipëria e dyta
Në ndeshjen tjetër të Grupit B, Algjeria mposhti Italinë 3-1, duke siguruar fitoren e dytë dhe kreun e grupit me gjashtë pikë.
Renditja e Grupit B Pozicioni Kombëtarja Pikë 1 Algjeria 6 2 Shqipëria 4 3 Italia 1 4 Kosova 0
Shqipëria do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të fazës së grupeve kundër Algjerisë, më 26 gusht, në orën 21:00. Një barazim do t’u mjaftonte kuqezinjve për ta siguruar matematikisht kualifikimin në gjysmëfinale.
Pas dy paraqitjeve bindëse dhe katër pikëve të grumbulluara, skuadra e Alban Bushit vazhdon me ambicie aventurën mesdhetare.