EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Shumë fat, Shkëndijë! Çdo zemër shqiptari është me ty. Për fitoren, për përmbysjen dhe për kualifikimin! Football

Shumë fat, Shkëndijë! Çdo zemër shqiptari është me ty. Për fitoren, për përmbysjen dhe për kualifikimin!

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

Shkëndija e Tetovës do të luajë të enjten një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Kuqezinjtë presin NK Bravon në arenën “Todor Proeski” të Shkupit, në sfidën e kthimit të raundit të dytë eliminator të UEFA Conference League.

Takimi do të nisë në orën 20:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTVM2. Shkëndija duhet të përmbysë humbjen 2-1 të ndeshjes së parë në Slloveni për të siguruar kualifikimin në raundin e tretë.

Skuadra shqiptare zhvilloi një paraqitje të mirë në takimin e parë, ku krijoi raste, dominoi në pjesë të caktuara dhe kaloi në avantazh. Megjithatë, mungesa e konkretizimit dhe disa pakujdesi në mbrojtje i mundësuan Bravos ta kthente rezultatin.

Tani gjithçka mbetet e hapur. Me më shumë efikasitet përpara portës dhe me mbështetjen e fuqishme të tifozëve, Shkëndija beson se mund ta realizojë përmbysjen e madhe.

Pollozhani: Duhet të jemi më korrektë në finalizim

Trajneri Artim Pollozhani kërkon përqendrim maksimal dhe më shumë saktësi në momentet vendimtare. Ai theksoi se në ndeshjet me eliminim nuk mjafton vetëm loja e bukur, pasi rezultati është ai që vendos fatin e kualifikimit.

“Ne futemi në fushë për ta fituar ndeshjen. Këtë herë rezultati është shumë i rëndësishëm, por po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si do ta kërkojmë fitoren”, deklaroi Pollozhani.

Trajneri mbeti i kënaqur me mënyrën se si skuadra luajti në Slloveni, por pranoi se Shkëndija nuk ishte mjaftueshëm konkrete përpara portës.

“Në Slloveni zhvilluam një ndeshje të bukur nga aspekti i lojës, por na mungoi finalizimi. Në këtë pjesë duhet të jemi më korrektë, sepse bëhet fjalë për një ndeshje me eliminim. Nëse zhvillon një ndeshje të mirë, duhet patjetër edhe ta finalizosh.”

Islami: Synimi ynë është vetëm fitorja

Edhe mesfushori Drilon Islami konfirmoi se atmosfera brenda grupit është shumë pozitive. Sipas tij, skuadra është përgatitur maksimalisht dhe beson plotësisht te përmbysja.

“Atmosfera në grup është shumë e mirë dhe synimi ynë është vetëm fitorja për të kaluar në raundin tjetër. Jemi përgatitur maksimalisht dhe do të japim gjithçka për ta përmbysur rezultatin”, u shpreh Islami.

Mesfushori shpreson që këtë herë kuqezinjtë të kenë edhe pak më shumë fat, veçanërisht në momentet përpara portës.

“Në ndeshjen e kaluar na mungoi goli. Besoj se këtë herë do të jemi më konkretë. I gjithë klubi është optimist se mund ta përmbysim rezultatin dhe të kualifikohemi.”

Hyrja falas, tifozët pritet të bëhen lojtari i 12-të

Për të siguruar një atmosferë të zjarrtë në Shkup, drejtuesit e Shkëndijës kanë vendosur që hyrja në stadium të jetë falas për të gjithë tifozët.

Pollozhani e konsideroi këtë vendim një gjest të shkëlqyer, duke theksuar lidhjen e veçantë që ekziston ndërmjet klubit dhe mbështetësve të tij.

“Klubi dhe tifozët janë një binom që duhet të funksionojë së bashku. ‘Ballistët’ ishin të pranishëm edhe në Slloveni dhe na bënë të ndihemi sikur po luanim në Tetovë. Ata janë gjithmonë aty”, deklaroi trajneri.

Pollozhani u bëri thirrje edhe shqiptarëve jashtë Tetovës që të udhëtojnë drejt Shkupit dhe ta mbështesin skuadrën.

“Shkëndija ka tifozë edhe jashtë Tetovës. Mbështetja sa më e madhe dhe më e fuqishme të jetë, aq më i madh do të jetë emocioni dhe motivimi i lojtarëve brenda fushës. Është një superlajm dhe një gjest i shkëlqyer i klubit.”

Edhe Islami i ftoi tifozët që t’i mbushin tribunat e arenës “Todor Proeski”.

“I ftoj ‘Ballistët’ dhe të gjithë tifozët e tjerë të vijnë e të na mbështesin. Shpresojmë që në fund t’i gëzojmë me kualifikimin.”

Shkëndija kërkon të përsërisë suksesin

Pas ecurisë së mirë evropiane të sezonit të kaluar, Shkëndija dëshiron të vazhdojë përsëri sa më gjatë në arenën ndërkombëtare.

Trajneri Pollozhani nuk dëshiron që lojtarët të ndiejnë presion, por kërkon që ata të zbatojnë me përpikëri detyrat teknike dhe taktike.

“Përsëritja e suksesit është jashtëzakonisht e bukur. Megjithatë, nuk duhet të ketë presion mbi lojtarët. Ata duhet të zbatojnë detyrat taktike dhe teknike që u jep stafi. Pjesa tjetër është përgjegjësia jonë”, tha ai.

Mungojnë Gaye dhe Fetai

Portieri Babacar Gaye nuk do të jetë në dispozicion për shkak të dëmtimit.

Në këtë përballje do të mungojë edhe Imran Fetai. Futbollisti është i përfshirë në bisedime intensive për një transferim të mundshëm jashtë vendit dhe klubi ka vendosur ta lërë jashtë skuadrës për këtë takim.

Pavarësisht mungesave, atmosfera në kampin kuqezi mbetet optimiste dhe të gjithë besojnë se skuadra ka cilësinë e nevojshme për ta përmbysur rezultatin.

Forma e skuadrave ndez besimin

Shkëndija vjen në këtë përballje pas fitores bindëse 3-0 kundër Skopjes në kampionat. Në krahun tjetër, NK Bravo u mund 3-0 në shtëpi nga NK Nafta në elitën e futbollit slloven.

Këto rezultate e kanë rritur më shumë besimin e kuqezinjve, por stafi teknik kërkon që skuadra të qëndrojë e përqendruar dhe të mos e nënvlerësojë kundërshtarin.

Sfida do të drejtohet nga një trupë arbitrash nga Hungaria, me Márton Rusz si gjyqtar kryesor.

Shkëndija–NK Bravo Kompeticioni: UEFA Conference League Raundi: Raundi i dytë eliminator, ndeshja e kthimit Rezultati i parë: NK Bravo 2-1 Shkëndija Stadiumi: Arena “Todor Proeski”, Shkup Data: E enjte, 30 korrik Ora: 20:00 Transmetimi: RTVM2 Hyrja: Falas

Në Shkup nuk do të luajë vetëm Shkëndija. Në fushë do të jetë krenaria e Tetovës, ndërsa në tribuna dhe kudo në trojet shqiptare do të rrahë një zemër e madhe kuqezi.

Shumë fat, Shkëndijë! Çdo zemër shqiptari është me ty. Për fitoren, për përmbysjen dhe për kualifikimin!

FootballKF Shkëndija