EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
SKËNDERBEU–TIRANA, SFIDË AMBICIESH NË KORÇË: AHMATAJ DHE KLAFURIÇ SYNOJNE VETËM FITOREN Football

SKËNDERBEU–TIRANA, SFIDË AMBICIESH NË KORÇË: AHMATAJ DHE KLAFURIÇ SYNOJNE VETËM FITOREN

Korçarët rikthehen përpara tifozëve të tyre, ndërsa bardheblutë kërkojnë të konfirmojnë suksesin ndaj Vorës. Ndeshja luhet në orën 18:30 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTSH.

By Elite Sport Vizion ·

Skënderbeu dhe Tirana përballen në Korçë në një sfidë që premton emocione, rivalitet dhe luftë të fortë për tri pikët. Në prag të takimit, trajnerët Juljan Ahmataj dhe Dean Klafuriç kanë shprehur hapur ambiciet e skuadrave të tyre: të dy kërkojnë fitoren.

Për Skënderbeun, kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë, pasi skuadra do të luajë për herë të parë këtë sezon përpara tifozëve korçarë. Trajneri Juljan Ahmataj nuk e fshehu entuziazmin për rikthimin në shtëpi dhe theksoi se mbështetja e publikut mund t’i japë skuadrës një shtysë të madhe.

“Futbolli luhet për tifozët. Ata janë një shtysë e madhe për çdo sportist dhe për çdo klub. Presim me padurim që ta prezantojmë skuadrën përpara qytetit dhe tifozëve, të cilët presin kaq shumë që Skënderbeu të rikthehet në nivele të larta. Kemi punuar fort dhe shpresoj të bëjmë një paraqitje shumë të mirë”, deklaroi Ahmataj.

Tekniku i korçarëve bëri të qartë se objektivi i skuadrës së tij mbetet gjithmonë maksimumi, pavarësisht kundërshtarit apo stadiumit ku luhet.

“Në çdo ndeshje dhe në çdo stadium ku luajmë, futemi në fushë për të marrë tri pikët. Skuadra do të jetë në maksimumin e saj. Edhe te futbollistët ndihet dëshira për t’u shprehur përpara tifozëve të tyre, sepse futbolli luhet për tifozët”, shtoi ai.

Ahmataj u ndal edhe te problemi i finalizimit, duke pranuar se Skënderbeu ka shpërdoruar shumë raste në ndeshjet e para të sezonit.

“Vetëm në ndeshjen me Dinamon na mungoi goli, sepse ndaj Egnatias shënuam, madje shpërdoruam shumë raste. Në të gjitha takimet kemi humbur mundësi të mira. Kjo është një pjesë që do të përmirësohet në të ardhmen, sepse mendojmë se të gjithë lojtarët tanë e kanë aftësinë për të shënuar.

Në futboll ekziston ligji i pashkruar se, kur nuk shënon, do ta pësosh. Por ka edhe ndeshje në të cilat loja nuk e përligj rezultatin. Ndodh rrallë, por ndodh. Do të ketë edhe momente kur situata të tilla do të jenë në favorin tonë”, përfundoi trajneri i Skënderbeut.

KLAFURIÇ: SHKOJMË NË KORÇË PËR TË FITUAR

Në kampin bardheblu mbizotëron gjithashtu optimizmi. Tirana vjen pas fitores bindëse 4–0 ndaj Vorës dhe kërkon vazhdimësi në rezultate.

Trajneri Dean Klafuriç pranoi se skuadra ka pasur pak kohë për t’u përgatitur, por deklaroi se lojtarët janë në gjendje të mirë fizike dhe taktike.

“Ka pasur pak kohë ndërmjet ndeshjeve me Vorën dhe Skënderbeun. Kemi punuar në një periudhë të shkurtër. Ishte e rëndësishme të bënim rikuperimin fizik dhe të punonim në aspektin taktik. Jemi përgatitur dhe ndodhemi në gjendje të mirë. Besoj te lojtarët e mi dhe jemi gati për ndeshjen”, deklaroi Klafuriç.

Tekniku i Tiranës kërkon që skuadra e tij ta konfirmojë paraqitjen pozitive ndaj Vorës edhe në transfertën e vështirë të Korçës.

“Duam ta konfirmojmë fitoren kundër Vorës. Është e rëndësishme të vazhdojmë të fitojmë ndeshje. E respektoj trajnerin kundërshtar, Skënderbeun dhe tifozët e tij, por sigurisht që do të shkojmë për ta fituar ndeshjen. Kjo është mënyra se si ne e përgatisim çdo takim”, theksoi ai.

I pyetur për merkaton dhe objektivat sezonalë, Klafuriç shprehu besimin e plotë te grupi që ka në dispozicion.

“Jam i lumtur dhe kam besim te lojtarët e mi. Objektivi ynë është të shkojmë në Europë dhe të luftojmë për rezultatet më të mira të mundshme. E dimë se do të jetë e vështirë, duke parë edhe atë që ka ndodhur në dy sezonet e kaluara, por ne do të luftojmë për t’u kualifikuar në Europë”, përfundoi trajneri bardheblu.

Skënderbeu kërkon ta festojë rikthimin përpara tifozëve me fitore, ndërsa Tirana synon suksesin e dytë radhazi. Në Korçë pritet një duel i fortë mes dy skuadrave që nuk i fshehin ambiciet e tyre për tri pikët.

FootballAbissnet Superiore 2026-2027