EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Sky: Malagò bllokon emërimin e Pirlos, në pikëpyetje edhe Maldini me Leonardon Football

Sky: Malagò bllokon emërimin e Pirlos, në pikëpyetje edhe Maldini me Leonardon

Takimet që ishin parashikuar të zhvilloheshin të hënën dhe që duhej të çonin drejt emërimit zyrtar të Pirlos janë anuluar. Në këtë mënyrë, procesi për zgjedhjen e trajnerit të ri të “Axurrëve” rikthehet në pikën zero.

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

Andrea Pirlo nuk do të emërohet, të paktën për momentin, trajner i Kombëtares së Italisë. Sipas raportimit të fundit të “Sky Sport”, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giovanni Malagò, nuk ka dhënë miratimin për vazhdimin e procedurave.

Vendimi ka ardhur pavarësisht sqarimeve të bëra nga Pirlo dhe përfaqësuesit e tij ligjorë në lidhje me bashkëpunimin e trajnerit italian me “Fonbet”, një nga platformat kryesore ruse të basteve sportive.

Sipas “Sky Sport”, presioni i fortë politik i orëve të fundit ka ndikuar drejtpërdrejt në qëndrimin e presidentit të FIGC-së.

Takimet që ishin parashikuar të zhvilloheshin të hënën dhe që duhej të çonin drejt emërimit zyrtar të Pirlos janë anuluar. Në këtë mënyrë, procesi për zgjedhjen e trajnerit të ri të “Axurrëve” rikthehet në pikën zero.

Situata mund të ketë pasoja edhe për drejtorin teknik Paolo Maldini dhe këshilltarin Leonardo, të cilët kishin shprehur besimin e tyre të plotë te Pirlo. Tashmë pritet të shihet nëse ata do të vazhdojnë në detyrat përkatëse apo do të marrin vendime të tjera pas bllokimit të kandidaturës së tyre.

Malagò kishte deklaruar më herët se Asambleja e Ligës, e planifikuar për të martën, më 28 korrik, mund të shërbente si momenti i shpalljes së trajnerit të ri. Megjithatë, pas zhvillimeve të fundit, mbetet e paqartë nëse Italia do të arrijë deri atëherë të gjejë një emër tjetër për stolin e Kombëtares.

Deklarata e Andrea Pirlos

Pas polemikave dhe reagimeve të shumta, Andrea Pirlo vendosi të thyente heshtjen, duke sqaruar publikisht natyrën e marrëdhënies së tij me kompaninë ruse.

“Gjatë ditëve të fundit kam ndjekur me shumë hidhërim debatin që është zhvilluar rreth emrit tim dhe mundësisë për të marrë detyrën e trajnerit të Kombëtares së Italisë. Nga respekti për institucionet, Federatën dhe të gjithë personat e përfshirë, zgjodha të heshtja. Megjithatë, tani e konsideroj të nevojshme të sqaroj disa aspekte.

Gjatë gjithë karrierës sime, fillimisht si futbollist dhe tani si trajner, i kam ushtruar gjithmonë detyrat e mia duke respektuar plotësisht ligjet e vendeve ku kam punuar dhe kontratat që kam nënshkruar.

Bashkëpunimi profesional në fjalë lidhet me rrugëtimin tim të punës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka karakter ekskluzivisht tregtar dhe sportiv.

T’i japësh këtij bashkëpunimi një kuptim politik do të thotë të më atribuosh bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk më përkasin.

Dua të falënderoj Paolo Maldinin dhe Leonardon për vlerësimin dhe besimin që kanë treguar ndaj meje. E njoh profesionalizmin, seriozitetin dhe dashurinë që ata i kanë kushtuar gjithmonë futbollit italian.

Më vjen keq që një zgjedhje sportive u përfshi kaq shpejt në një debat publik, i cili përfundoi duke më atribuar qëndrime dhe qëllime që nuk më përkasin.

Dashuria për Italinë nuk varet nga një detyrë apo pozicion. Ajo është pjesë e historisë, identitetit dhe jetës sime.”

FootballItali