EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Sopoti “peshkon” portierin e kombëtares, merkato e fuqishme për sezonin e ri Football

Sopoti “peshkon” portierin e kombëtares, merkato e fuqishme për sezonin e ri

By Haxhi Balliu ·

Sezoni i ri futbollistik ka ditë që po ndihet edhe në Librazhd, pasi Sopoti, ekipi i këtij qyteti, është rikthyer në Kategorinë e Parë pas një mungese prej 12 vitesh.

Ekipi i drejtuar nga Rrahman Hallaçi, i cili ka rinovuar kontratën me klubin edhe për këtë sezon, ka hyrë fuqishëm në merkaton e verës, duke ndërtuar një skuadër që ndërthur eksperiencën, forcën fizike, karakterin dhe talentin.

Sipas teknikut Hallaçi, skuadra që ai drejton nuk do të jetë thjesht pjesëmarrëse në këtë kategori. Objektivi fillestar do të jetë modest, me synim parësor sigurimin e qëndrimit në Kategorinë e Parë, ndërsa më pas ambiciet do të përcaktohen gradualisht, në varësi të ecurisë së skuadrës.

Sopoti pritet të ruajë rreth 70 për qind të lojtarëve që mbyllën sezonin e kaluar, duke afruar njëkohësisht 5-6 futbollistë me eksperiencë në Kategorinë e Parë apo në Superiore.

Pak kohë më parë është nënshkruar edhe një marrëveshje me klubin e futbollit Elbasani, për të afruar në formë huazimi disa futbollistë që nuk gjejnë minutat e nevojshme në skuadrën elbasanase.

Afrimi i parë zyrtar i Sopotit është ish-mesfushori i Partizanit, Griseld Lika. Me një përvojë disavjeçare në Superiore, Lika i bashkohet këtë edicion skuadrës librazhdase, duke nisur menjëherë përgatitjet me pjesën tjetër të lojtarëve.

Ndërkohë, është rikonfirmuar portieri Herdis Alliu, i cili pati një meritë të veçantë në ngjitjen e Sopotit në Kategorinë e Parë, falë pritjeve të penalltive në tri ndeshjet vendimtare ndaj Tërbunit, Shirokës dhe Luftëtarit.

Këto ditë, klubi ka përfunduar gjithashtu rinovimin e kontratës dhe vazhdimin e bashkëpunimit me një prej lojtarëve më të rëndësishëm të repartit të mbrojtjes. I përshtatur mjaft mirë me kampionatin shqiptar, Sodiq Atanda do të vazhdojë të jetë, pa asnjë diskutim, një vlerë e shtuar për objektivat e trajnerit Hallaçi gjatë këtij sezoni.

Goditja më e madhe e klubit librazhdas në merkato është afrimi i portierit nga Bregu i Fildishtë, Bamba Drissa, i lindur më 10 dhjetor 1993. Mes klubit dhe gardianit 32-vjeçar është nënshkruar një kontratë njëvjeçare me të drejtë rinovimi.

Drissa vjen si një afrim cilësor për librazhdasit pas një eksperience disavjeçare me Stade d’Abidjan në Ligën e Parë, ndërsa ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares U22 të Bregut të Fildishtë.

Bamba Drissa është një portier që ka demonstruar cilësitë dhe talentin e tij, duke e përfunduar kampionatin e Bregut të Fildishtë si lojtari më i mirë dhe portieri më i mirë i sezonit 2024-2025. Numri i tij i preferuar është 16.

Gjithashtu, shumë pranë firmës me Sopotin është edhe Aleks Izuna, një anësor i djathtë me tipare sulmuese. Futbollisti nigerian ka qenë pjesë e ekipit B të Vllaznisë, ndërsa ka grumbulluar minuta edhe me skuadrën e parë shkodrane.

FootballKF Sopoti Librazhd