EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
SPECIALE/ Maldini zbulon prapaskenat: “Guardiola kishte nisur të shkruante formacionet, por Malagò nuk e respektoi marrëveshjen” Football

SPECIALE/ Maldini zbulon prapaskenat: “Guardiola kishte nisur të shkruante formacionet, por Malagò nuk e respektoi marrëveshjen”

By Elite Sport Vizion ·

Paolo Maldini thyen heshtjen dhe zbulon të gjitha prapaskenat e revolucionit të dështuar në Kombëtaren italiane. Ish-drejtori teknik i FIGC-së ka folur për kontaktet me Pep Guardiolën, zgjedhjen e Andrea Pirlos, kundërshtimin ndaj Roberto Mancinit dhe prishjen e marrëveshjes me presidentin Giovanni Malagò.

Në një intervistë për “Corriere della Sera”, legjenda e Milanit shpjegoi se përse ai dhe Leonardo u larguan vetëm pak kohë pasi kishin pranuar të merrnin drejtimin e projektit teknik të futbollit italian.

“Nuk jam i lidhur pas karriges”

Maldini deklaroi se gjithmonë ka kërkuar t’i kryejë detyrat me seriozitet dhe t’i shprehë qartë mendimet e tij.

“Të tjerët duhet të më gjykojnë dhe është e pamundur t’u pëlqesh të gjithëve. Mua më intereson t’i bëj gjërat mirë dhe të flas qartë. Njerëzit që kanë punuar me mua më njohin shumë mirë.

Nëse një njeri që mbron rolin dhe përgjegjësitë e tij quhet i ashpër, atëherë po, jam i tillë. Nuk jam i lidhur pas karriges dhe ndihem plotësisht i lirë në zgjedhjet e mia. Nëse më jepet një përgjegjësi, dua të kem edhe mundësinë për ta ushtruar atë”, theksoi Maldini.

Telefonata e Malagòs dhe marrëveshja fillestare

Gjithçka nisi gjatë festës së Pashkëve, kur Giovanni Malagò e telefonoi Maldinin dhe i tregoi se mund të zgjidhej president i Federatës Italiane të Futbollit.

“Malagò më tha se isha personi që dëshironte të kishte në krah. I dhashë gatishmërinë time, por më pas nuk e dëgjova më deri një ditë përpara zgjedhjeve.

Më kërkoi të bëhesha president i ‘Club Italia’. Nuk bëhej fjalë vetëm për ringritjen e Kombëtares, por për rithemelimin e të gjithë futbollit italian”, tregoi Maldini.

Sipas tij, marrëveshja ishte shumë e qartë: Maldini dhe Leonardo do të zgjidhnin trajnerin, ndërsa Malagò do ta miratonte vendimin e tyre.

“Pyetja ime e parë ishte: Kush do ta zgjedhë trajnerin? Ai u përgjigj se zgjedhja do të bëhej nga ne dhe më pas do të miratohej prej tij. Kjo ishte marrëveshja”, nënvizoi ish-kapiteni i Italisë.

Projekti: një Itali e re dhe sulmuese

Maldini dhe Leonardo kërkonin një ndryshim rrënjësor në filozofinë e futbollit italian. Synimi ishte që përgatitja e futbollistëve të rinj të mbështetej më shumë te teknika, loja një kundër një dhe mentaliteti sulmues, jo vetëm te disiplina taktike.

Ata dëshironin një trajner të ri, me të kaluar në Kombëtare dhe të aftë për të përqafuar një projekt afatgjatë.

Telefonata e parë iu bë Carlo Ancelottit.

“Telefonuam trajnerin më të mirë italian të të gjitha kohërave dhe mikun tim të ngushtë, Carlo Ancelotti. Ai na tha se Brazili ia kishte rikonfirmuar besimin e plotë dhe na uroi suksese”, zbuloi Maldini.

De Rossi dhe Grosso u përjashtuan nga gara

Përveç Andrea Pirlos, në listë ndodheshin edhe Daniele De Rossi dhe Fabio Grosso. Të tre kishin fituar Kupën e Botës me Italinë në vitin 2006.

Por Malagò u kishte komunikuar se, për shkak të marrëveshjeve politike që e kishin ndihmuar të fitonte zgjedhjet, nuk mund të preknin trajnerët që drejtonin skuadra të Serisë A.

Për këtë arsye, De Rossi dhe Grosso u përjashtuan nga lista, ndërsa Maldini dhe Leonardo vazhduan bisedimet me Pirlon.

Përse u zgjodh Andrea Pirlo?

Maldini e konsideronte Pirlon kandidatin ideal për projektin e ri: një trajner të ri, me karrierë të jashtëzakonshme si futbollist dhe me një vizion modern të lojës.

“Kur flas me Pirlon për çështje teknike, e shoh jashtëzakonisht të përgatitur. Me mbështetjen e një drejtori teknik dhe të një këshilltari, do të kishte qenë trajneri ideal.

Çfarë eksperience kishin Scaloni dhe De la Fuente përpara se të fitonin Botërorin dhe Europianin?”, pyeti Maldini.

Ai pranoi se drejtuesit nuk kishin dijeni për bashkëpunimin e Pirlos me një kompani ruse bastesh, por këmbënguli se nuk ekzistonte asnjë pengesë ligjore për emërimin e tij.

Sipas Maldinit, Pirlo ishte i gatshëm ta ndërpriste menjëherë atë bashkëpunim.

“Pirlo është një person shumë korrekt dhe nuk e meritonte gjithë atë zhurmë. Nëse do të kishte ekzistuar vullneti i vërtetë për ta emëruar, nuk do të kishte pasur pengesa ligjore”, u shpreh ai.

Guardiola ishte pranë Italisë

Zbulimi më i madh i Maldinit lidhet me Pep Guardiolën. Trajneri spanjoll ishte kandidati që përfaqësonte më mirë futbollin teknik dhe sulmues që ata dëshironin të ndërtonin.

Maldini dhe Leonardo udhëtuan në Barcelonë, ku zhvilluan një takim të gjatë me Guardiolën.

“Drekonim së bashku dhe biseduam për një ditë të tërë. Ishte shumë i tunduar dhe u afrua jashtëzakonisht shumë me pranimin e ofertës. Madje nisi të shkruante formacionet në disa fletë”, zbuloi Maldini.

Çështja financiare nuk ishte problem. Sipas tij, Guardiola ishte i gatshëm të merrte një euro më pak se trajneri paraardhës i Italisë.

Ai e refuzoi ofertën vetëm për shkak të lodhjes pas dhjetë sezoneve tepër intensive në Premier League dhe problemeve shëndetësore që e kishin detyruar t’i nënshtrohej një operacioni në shpinë.

“Studijuam të gjitha ekipet, duke filluar nga Kombëtarja U17. Guardiola do ta kishte ndryshuar identitetin e futbollit italian. Është një keqardhje e madhe”, pranoi Maldini.

Prishja e marrëveshjes me Malagòn

Pika e kthesës erdhi pas polemikave për Pirlon. Malagò telefonoi Maldinin dhe Leonardon, duke u bërë të ditur se rregullat kishin ndryshuar.

“Na tha: ‘Sipas meje, Pirlo nuk mund të merret më. Nga sot trajnerin e zgjedh unë dhe ju e miratoni vendimin tim’”, tregoi Maldini.

Për ish-kapitenin kuqezi, ky qëndrim ishte i papranueshëm, sepse përmbyste marrëveshjen mbi të cilën ai dhe Leonardo kishin pranuar të punonin.

“Kur kam një detyrë dhe një përgjegjësi, dua t’i ushtroj ato. Morëm 24 orë kohë dhe paraqitëm dorëheqjen, përpara se të hynte në fuqi kontrata katërvjeçare.

Nuk ekzistonin më kushtet e besimit për të kryer një punë kaq të madhe dhe njëkohësisht kaq emocionuese”, shpjegoi ai.

Përse Maldini nuk e zgjodhi Mancinin?

Maldini sqaroi se kundërshtimi ndaj Roberto Mancinit nuk kishte lidhje me aftësitë apo marrëdhëniet personale.

“Sigurisht që e vlerësoj Roberto Mancinin. Por ne kishim një projekt tjetër. Dëshironim një trajner të ri dhe një ndryshim rrënjësor”, deklaroi ai.

Sipas Maldinit, Mancini dhe Antonio Conte janë dy trajnerë të mëdhenj, por nuk përfaqësonin projektin teknik që ai dhe Leonardo kishin hartuar.

“Nuk i zgjedh njerëzit sepse janë miqtë e mi. Zgjedh ata që, në atë moment, më duken më të përshtatshëm për projektin që duhet zhvilluar”, theksoi legjenda e Milanit.

Liga e Serisë A preferonte Conten

Maldini konfirmoi se drejtuesit e Ligës së Serisë A kishin si kandidat të preferuar Antonio Conten dhe ishin të gatshëm ta mbështesnin Federatën edhe financiarisht.

Megjithatë, ish-drejtori teknik nuk ishte dakord që vendimet të ishin marrë përpara se atij t’i jepej zyrtarisht përgjegjësia.

“Nëse vij këtu dhe dy emra janë zgjedhur paraprakisht, njëri nga Malagò dhe tjetri nga Liga, atëherë çfarë kuptimi ka të më thërrasin?

Më ishte garantuar vazhdimisht autonomia. Është normale që secili të ketë kandidatin e tij të preferuar, por nëse kërkon bashkëpunim dhe propozon një projekt të përbashkët, atëherë vendimet duhet të merren së bashku”, deklaroi Maldini.

“Nëse bën një zgjedhje, duhet ta mbrosh”

Maldini e mbylli intervistën me një mesazh të qartë për Giovanni Malagòn.

“Marrëdhënia jonë ishte ndërtuar mbi besimin. Nëse bën një zgjedhje, më pas duhet ta mbrosh atë.”

Rrëfimi i tij zbulon një përplasje të fortë mes dy vizioneve: nga njëra anë, projekti i Maldinit dhe Leonardos për një Itali të re, teknike dhe sulmuese; nga ana tjetër, vendimi i Malagòs për ta marrë vetë kontrollin e zgjedhjes së trajnerit.

Një revolucion që mund të sillte Pep Guardiolën në stolin e Italisë përfundoi përpara se të fillonte.Marrë nga shtypi italian: Calciomercato.com

FootballItali