EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Spektakël  në “Arena Egnatia”, gjashtë gola dhe barazim dramatik mes Egnatias dhe Celjes
UEFA
Football

Spektakël në “Arena Egnatia”, gjashtë gola dhe barazim dramatik mes Egnatias dhe Celjes

UEFA Champions League. Nevil Dede “Atje do të fitojmë ne !”

By Elite Sport Vizion ·

Egnatia dhe Celje dhuruan një spektakël të jashtëzakonshëm futbolli në Rrogozhinë, duke e mbyllur në barazim 3-3 ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Champions League.

Gjashtë gola, përmbysje rezultati, reagime të forta dhe emocione deri në fund: përpara rreth 4 mijë tifozëve në “Arena Egnatia”, kampionët e Shqipërisë treguan karakter, duke barazuar dy herë pasi u gjendën në disavantazh gjatë pjesës së dytë.

Rezultati lë plotësisht të hapur çështjen e kualifikimit. Skuadra që do të fitojë ndeshjen e kthimit në Slloveni do të vazhdojë aventurën në Champions League.

Bitri ndez festën në Rrogozhinë

Egnatia e nisi ndeshjen me shumë energji dhe kaloi në avantazh që në minutën e 7-të. Pas një goditjeje këndi, Eneo Bitri u ngrit më lart se kundërshtarët dhe goditi me kokë. Topi u devijua edhe nga mbrojtësi Papa Daniel përpara se të përfundonte në rrjetën e Celjes.

Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede kontrolloi pjesën më të madhe të fraksionit të parë, ushtroi presing dhe krijoi vështirësi të mëdha për mbrojtjen sllovene.

Megjithatë, pikërisht përpara pushimit, Celje gjeti golin e barazimit. Në minutën 45+1, Mario Kvesić përfitoi pas një goditjeje këndi dhe vendosi rezultatin 1-1.

Celje përmbys, Egnatia kundërpërgjigjet

Sllovenët e nisën më mirë pjesën e dytë dhe në minutën e 54-t Armandas Kučys përmbysi rezultatin, duke i dhënë Celjes avantazhin 2-1.

Reagimi i Egnatias ishte i menjëhershëm. Vetëm katër minuta më vonë, Fernando Medeiros shënoi golin e barazimit pas asistimit të Daniel Adeshinës.

Në minutën e 66-të, Kvesić realizoi golin e tij të dytë personal dhe riktheu Celjen në epërsi, 3-2. Por kampionët e Shqipërisë nuk u dorëzuan.

Në minutën e 78-të, Ibrahim Diabaté shfrytëzoi asistimin e Fernando Medeiros dhe mposhti portierin kundërshtar, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-3.

Egnatia tregoi forcë të madhe karakteri, pasi reagoi dy herë në pjesën e dytë dhe shmangu një humbje që do ta kishte vështirësuar ndjeshëm misionin e saj në Slloveni.

Dëmtimi i Bakayoko-s ndryshoi planet

Problemet për Egnatian nisën që në minutën e 16-të, kur sulmuesi kryesor Bakayoko pësoi një dëmtim në gju dhe u detyrua të largohej nga fusha. Ai u zëvendësua nga Adeshina.

Dëmtimi i hershëm e detyroi trajnerin Nevil Dede të ndryshonte skemën e lojës dhe mënyrën e presingut. Pas përfundimit të takimit, trajneri i Egnatias pranoi se skuadra e tij gaboi shumë në fazën mbrojtëse dhe në ndërtimin e aksioneve.

“U treguam shumë naivë në mënyrën se si i pësuam të tre golat. Na merrnin hapësirat e ndërmjetme. Shpërdoruam mjaft raste përpara portës. Si rrallëherë, gabuam shumë pasime në nisjen e aksioneve dhe, kur pëson tre gola, është normale që si trajner të mërzitesh”, deklaroi Dede.

Trajneri shpjegoi se largimi i Bakayoko-s ndikoi drejtpërdrejt në mënyrën se si Egnatia ushtronte presing ndaj kundërshtarit.

“Bakayoko ka pësuar një dëmtim në gju. Me hyrjen e Adeshinës nuk mund ta bënim të njëjtin presing, sepse ai ka karakteristika më statike dhe iu deshën disa minuta të ngrohej. Megjithatë, në pjesën e dytë bëri mirë dhe na dha frymëmarrje. Qëllimi ishte që Bakayoko të krijonte panik në mbrojtjen kundërshtare.”

Dede: Me tri krosime na shënuan tre gola

Trajneri i Egnatias analizoi edhe problemet taktike të skuadrës së tij. Sipas Dedes, treshja e mbrojtjes vuajti për shkak të mungesës së shkallëzimit dhe hapësirave të krijuara ndërmjet reparteve.

“Treshja e mbrojtjes po vuante, sepse po luanim tre kundër një pa shkallëzim. Për këtë arsye u përpoqa të krijoja dy mesfushorë me tipare të numrit 6. Me tri krosime që bënë, ata na shënuan tre gola”, shpjegoi ai.

Dede pranoi se edhe disa prej lëvizjeve të tij taktike nuk dhanë rezultatin e dëshiruar.

“Lukuli po ruhej, sepse ishte me karton të verdhë dhe na mungon në ndeshjen tjetër. Fernando po punonte gjatë gjithë kohës përpara dhe ne ishim inferiorë në krahun e majtë të mbrojtjes. Nuk jam i kënaqur me disa lëvizje taktike që bëra vetë, por janë gjëra që mund të rregullohen, pasi kjo ishte vetëm ndeshja jonë e tretë zyrtare.”

Mungesa e Aleksit, zgjedhje taktike

Një nga vendimet që tërhoqi vëmendjen ishte mosaktivizimi i kapitenit Albano Aleksi. Dede sqaroi se mes tij dhe lojtarit nuk ka asnjë problem dhe se vendimi ishte tërësisht taktik.

“Aleksi është kapiteni i ekipit. Ai stërvitet rregullisht dhe është shumë korrekt. Mosaktivizimi i tij ishte vetëm zgjedhje taktike e imja”, deklaroi trajneri.

Lajmi i mirë për kampionët shqiptarë është rikthimi i Montenegros, i cili pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen e kthimit.

“Kemi gati Montenegron. Ai është një lojtar me shumë cilësi, ka rreth 60–70 minuta në këmbë dhe, kur ka qenë në fushë, Egnatia ka luajtur ndryshe. Është përshtatur shumë mirë me grupin”, shtoi Dede.

“Shanset janë 60 me 40 për ne”

Pavarësisht tri golave të pësuar në shtëpi, trajneri i Egnatias u shfaq shumë optimist për mundësitë e kualifikimit.

“Përpara ndeshjes, shanset ishin 50 me 50. Tani mendoj se janë 60 me 40 për ne. Isha i bindur që përpara ndeshjes se do ta kishim më të lehtë atje, në transfertë, sesa këtu në shtëpi”, tha Dede.

Trajneri kërkoi që skuadra të mos mbështetet te fati, por të punojë për korrigjimin e gabimeve të shfaqura në ndeshjen e parë.

“Nuk duhet t’i kryqëzojmë gishtat. Duhet thjesht të rregullojmë disa gjëra. Jam plotësisht i bindur se atje do të fitojmë. Kjo është bindja ime e patundur.”

Bitri: Humbëm shumicën e topave të dytë

Eneo Bitri, protagonist në golin e parë të Egnatias, nuk e fshehu zhgënjimin për tri golat e pësuar.

“Golat më janë bërë pothuajse zakon dhe shpresoj ta vazhdoj këtë ritëm. Më nderon goli dhe përpiqem të jem gjithmonë aty ku duhet, por rëndësi ka se si përfundon ndeshja. Gjëja e parë që duhet të bëjë Egnatia është të mos pësojë gola”, deklaroi mbrojtësi.

Sipas Bitrit, problemi kryesor i Egnatias ishte humbja e topave të dytë.

“Humbëm rreth 60–70 për qind të topave të dytë. Dëmtimi i Bakayoko-s na e prishi të gjithë sistemin, si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese, sepse gjatë gjithë javës kishim punuar me të në formacion. Me hyrjen e Adeshinës loja ndryshoi plotësisht. Në dhomat e zhveshjes biseduam për këtë problem dhe në pjesën e dytë arritëm të rregullonim diçka.”

Bitri theksoi gjithashtu se objektivi minimal i Egnatias është arritja në fazën e ligës së Conference League.

“Kur erdha këtu, kisha objektiva shumë të qartë. Kemi biseduar me presidentin dhe synimi ishte pjesëmarrja në Europë, minimalisht në fazën e ligës së Conference League. Presidenti më ka plotësuar të gjitha kushtet. Kam gjetur një Egnatia kampione dhe një grup fantastik djemsh, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës.”

Avdyli: Egnatia na dominoi për 30 minuta

Futbollisti shqiptar i Celjes, Milot Avdyli, vlerësoi paraqitjen e kampionëve të Shqipërisë dhe pranoi se vendasit e dominuan fillimin e takimit.

“Tridhjetë minutat e para ishin të gjitha për Egnatian, sepse nuk e njihnim mirë si kundërshtar. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por edhe një sfidë shumë e bukur për tifozët, pasi u shënuan shumë gola”, deklaroi Avdyli.

Ai vlerësoi cilësinë e mesfushës së Egnatias dhe përvojën e mbrojtësve të saj.

“E dinim se Egnatia është një skuadër serioze. Ka potencial të madh, mesfushorë shumë të mirë dhe mbrojtës me përvojë, si Eneo Bitri.”

Sipas Avdylit, Celje e përmirësoi lojën pas ndryshimeve taktike dhe kërkoi të shfrytëzonte më shumë hapësirat në krahë.

“Në pjesën e dytë trajneri e analizoi më mirë lojën dhe ne sulmuam pikat e dobëta të Egnatias. Në pjesën e parë luajta në krahun e majtë dhe nuk pata shumë topa, por më pas ndryshova anën. Provuam të sulmonim nga krahët dhe me topa në thellësi.”

Futbollisti shqiptar konfirmoi se objektivi i Celjes është arritja në fazën “play-off” të Champions League dhe mbrojtja e titullit kampion në Slloveni.

Edhe Celje duhet të korrigjojë mbrojtjen

Në kampin slloven ka arsye për kënaqësi, por edhe për keqardhje. Celje shënoi tri herë në transfertë dhe tregoi efikasitet të lartë në sulm, por nuk arriti ta ruante avantazhin në dy raste gjatë pjesës së dytë.

Trajneri Vítor Campelos duhet të punojë për përmirësimin e fazës mbrojtëse, pasi Egnatia provoi se ka cilësinë dhe karakterin e nevojshëm për ta dëmtuar skuadrën sllovene.

Celje do të ketë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve në takimin e kthimit. Megjithatë, rezultati 3-3 nuk i jep epërsi asnjërës skuadër dhe një fitore me çfarëdo rezultati do të mjaftojë për të siguruar kualifikimin.

Gjithçka vendoset në Celje

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 28 korrik në stadiumin “Z’dežele” të Celjes.

Egnatia tregoi forcë sulmuese, personalitet dhe aftësi për të reaguar në momentet më të vështira. Për të realizuar një tjetër kualifikim europian, kampionët shqiptarë duhet të shmangin gabimet në mbrojtje, të fitojnë më shumë topa të dytë dhe të tregohen më të saktë në ndërtimin e aksioneve.

Rrogozhina përjetoi një mbrëmje të paharrueshme, por historia e kësaj përballjeje nuk ka përfunduar. Kapitulli vendimtar do të shkruhet në Slloveni, ndërsa Nevil Dede e ka bërë të qartë bindjen e tij:

“Atje do të fitojmë!”

FootballUEFA Champions League