Football
Strakosha të hënën prek topin? AEK-u dhe Shqipëria me sytë nga gardiani
E hëna mund të shënojë një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të Thomas Strakoshës. Portieri i AEK-ut dhe i Kombëtares shqiptare po rikuperohet nga krisja në kyçin e dorës, ndërsa kontrolli i parashikuar më 12 tetor pritet të përcaktojë nëse është gati të rifillojë stërvitjet e plota. Sipas raportimit të in.gr, kjo është dita e rivlerësimit të gjendjes së tij, ndërsa kthimi në fushë mbetet ende për t’u vendosur. Sinjalet janë pozitive. Rikuperimi ka përparuar dhe në kampin verdhezi është rritur optimizmi për ta pasur sërish në dispozicion. Raportimet greke përmendin përballjet europiane me Shahtarin dhe Manchester City-n si objektiva të mundshëm të rikthimit, por AEK-u kërkon të shmangë nxitimin: përparësi ka shërimi i plotë i gardianit shqiptar. Për Marko Nikoliçin, rikthimi i Strakoshës do të shtonte një alternativë të rëndësishme në portë. Gjatë mungesës së tij, përgjegjësinë mes shtyllave e ka mbajtur Alberto Brignoli, i cili, sipas Gazzetta-s, e ka mbuluar shumë mirë boshllëkun e lënë nga shqiptari. Me vëmendje pritet ky rikthim edhe nga Shqipëria. Perspektiva për ta pasur Strakoshën të gatshëm në nëntor lidhet me hapat që do të hedhë gjatë javëve të ardhshme: fillimisht stërvitjet e plota, më pas minutat në ndeshje dhe rigjetja e ritmit. AEK-u dhe Shqipëria i kanë sytë nga gardiani. Të hënën pritet përgjigjja e parë: a është gati Strakosha të prekë sërish topin dhe të nisë rrugën drejt portës?