EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Të jesh në anën e duhur… Football

Të jesh në anën e duhur…

Dhe sa do të vazhdojë ky rrugëtim? JO DHE SHUMË KOHË! Ndoshta pikërisht sepse çdo histori e bukur meriton edhe momentin e saj për t’u ndalur, për të parë pas dhe për të thënë

By Xhevdet Zekaj ·

Kam lindur me futbollin, shkruaj për futbollin, pa futbollin nuk jetoj dot, InshAllah, nuk e kam tradhtuar kurrë! Egnatia e Agim Demrozit, për mua, është kulmi i një rrugëtimi të gjatë në gazetarinë sportive shqiptare. Një rrugëtim i ndërtuar mbi suksese, miqësi, bashkëpunim me staf të mrekullueshëm, impenjim maksimal, respekt institucional dhe, mbi të gjitha, dashuri për futbollin dhe për këtë ekip. Një rrugëtim me shumë ditë të bukura, por edhe me keqkuptime, debate e përplasje të vogla, siç ndodh në çdo histori të gjatë profesionale. Apo jo, Pano Xhixha? Në fund, ajo që mbetet është puna, rezultati dhe respekti për atë që ke ndërtuar. Në këtë rrugëtim kam pasur privilegjin të përjetoj edhe 8 medalje: 🏆 3 tituj kampion me Egnatian 🏆 2 tituj kampion me Dinamon 🏆 2 Kupa të Shqipërisë – me Dinamon dhe Egnatian 🏆 1 Superkupë të Shqipërisë me Egnatian Tetë medalje që për mua nuk janë thjesht trofe. Janë kujtime, vite pune, stadiume, udhëtime, emocione, njerëz dhe histori që do të mbeten pjesë e jetës sime profesionale. Mes tyre, nuk do të harroj kurrë dhimbjen dhe lotët në Islandë, me lojën lart dhe golat që binin rrebesh në portën e Egnatias. Oh, Zot, çfarë dhimbjeje! Kam mbajtur gjithmonë mbi supe edhe përgjegjësinë e një gazetari që duhet të respektojë etikën profesionale dhe institucionin ku punon apo ka punuar, duke vendosur përherë seriozitetin dhe profesionalizmin e së tashmes egnatiane mbi emocionet e së shkuarës. Sigurisht, pasioni ndonjëherë mund të të çojë edhe në ndonjë reagim të panevojshëm, në ndonjë “shkelje të vogël” të kodit etik. Por e rëndësishme është të dish të reflektosh, të vetërregullohesh dhe të rikthehesh te ajo që ka më shumë rëndësi: puna dhe suksesi. Ka qenë e pamundur të mos mbart me vete edhe 14 vitet e punës si zëdhënës shtypi te Dinamo. Dinamos i kam shkruar edhe tekstin e Himnit Zyrtar. Po aq të rëndësishme kanë qenë edhe dashuria shpirtërore për Vlorën dhe Flamurtarin, si dhe respekti e tifozllëku, si shumë shqiptarë nga rrethet dhe jo vetëm nga Tirana, për Partizanin, një tjetër emër i madh dhe historik i futbollit shqiptar. Por asnjë nga këto përjetime nuk ka qenë si ai që kam përjetuar me KF Egnatian. Në fund të fundit, futbolli është shumë më tepër se një klub. Është kujtesë, emocion, miqësi, histori, identitet, trashëgimi, dashuri dhe urrejtje. Dhe po, në një rrugëtim kaq të gjatë, mund të ketë edhe gabime. Sepse pa gabime nuk ka përmirësim, ndërsa pa reflektim nuk ka profesionalizëm. Kur flas për futbollin dhe sportin shqiptar, më vjen natyrshëm të kujtoj edhe një shprehje të ish-mësuesit dhe idhullit tim, Agim Fagu, të cilin, në festën e 70-vjetorit të KF Partizanit, e kujtoj të ulur në radhët e para. Ai e konsideronte Partizanin si universitetin e sportit shqiptar. Por sot, në realitetin e futbollit shqiptar, KF Egnatia është një nga modelet më të suksesshme të kohës. Pa harruar A. Takajn, G. Demin, A. Bardhin, R. Halilin, S. Idrizin, K. Llupon, E. Hasanbelliun dje dhe F. Troplinin sot, A. Xhaferrin, B. Kapllanin, A. Xhafatin e shumë, shumë të tjerë. Egnatia e Agim Demrozit ka kaluar nga një projekt ambicioz në një klub që ka fituar trofe, ka ndërtuar identitet dhe tashmë po shkruan historinë e vet edhe në arenën europiane. Dhe kjo është ajo që e bën këtë rrugëtim kaq të veçantë. Sepse kam besuar gjithmonë se gazetari sportiv nuk duhet vetëm ta tregojë historinë e sportit. Ai duhet ta jetojë, ta respektojë dhe ta dokumentojë atë me pasion, por edhe me përgjegjësi. Sot, kur kthej kokën pas, Egnatia e Agim Demrozit mbetet një nga majat më të bukura të këtij rrugëtimi. Por nuk shoh vetëm medaljet. Shoh miqtë, kolegët, sportistët, trajnerët, drejtuesit, stadiumet, udhëtimet, emocionet dhe historitë që më kanë shoqëruar për dekada, si edhe qejfmbetjet alla Pano Xhixha. Dhe ndoshta kjo është pasuria më e madhe e një gazetari sportiv: Të jesh aty, ta përjetosh, ta shkruash dhe, mbi të gjitha, të mbetesh pjesë e historisë së sportit që ke dashur. Për këtë, 8 medaljet dhe dekorimi “Mjeshtër i Madh” janë një dëshmi krenare. Por rrugëtimi është historia. Dhe sa do të vazhdojë ky rrugëtim? JO DHE SHUMË KOHË! Ndoshta pikërisht sepse çdo histori e bukur meriton edhe momentin e saj për t’u ndalur, për të parë pas dhe për të thënë JA VLEJTI.

FootballOPINION