EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
“Tërmet” te Chelsea, Xabi Alonso nxjerr në shitje pesë lojtarë Football

“Tërmet” te Chelsea, Xabi Alonso nxjerr në shitje pesë lojtarë

By Elite Sport Vizion ·

Trajneri i ri i Chelsea-t, Xabi Alonso, ka nisur menjëherë revolucionin në “Stamford Bridge”. Sipas raportimeve të para të gazetës britanike “The Sun”, tekniku spanjoll u ka bërë të ditur pesë lojtarëve të ekipit të parë se janë të lirë të largohen gjatë merkatos së verës 2026.

Alonso, i cili mori zyrtarisht drejtimin e Chelsea-t më 1 korrik, synon ta rindërtojë skuadrën në përputhje me filozofinë dhe idetë e tij taktike. Përfundimi zhgënjyes në vendin e dhjetë të Premier League-s ka bindur drejtuesit se skuadra ka nevojë për ndryshime të mëdha.

Pesë lojtarët që mund të largohen

Në planet afatgjata të trajnerit spanjoll nuk bëjnë pjesë:

Filip Jørgensen – portier Axel Disasi – mbrojtës Benoît Badiashile – mbrojtës Alejandro Garnacho – sulmues krahu Liam Delap – sulmues

Shitja e këtyre pesë futbollistëve mund t’i sillte Chelsea-t më shumë se 150 milionë paund. Të ardhurat do të përdoreshin për të financuar objektivat kryesore të Alonsos në merkato.

Garnacho drejt Napolit?

Alejandro Garnacho është emri më i bujshëm në listën e largimeve. Chelsea raportohet se është gati të dëgjojë ofertat për sulmuesin e krahut, i cili po ndiqet me interes nga Napoli.

Klubi italian mund të paraqesë një ofertë me vlerë rreth 55 milionë euro. Bisedimet për të ardhmen e futbollistit thuhet se kanë nisur, ndërsa Alonso nuk e konsideron atë pjesë të projektit të tij afatgjatë.

Filip Jørgensen, ndërkohë, kërkon të largohet për të siguruar më shumë minuta si titullar. Për Liam Delap, drejtuesit duhet të vendosin se cili prej tij dhe Nicolas Jacksonit do të shitet përfundimisht.

Dy mbrojtësit francezë, Axel Disasi dhe Benoît Badiashile, gjithashtu po shtyhen drejt largimit. Alonso kërkon të ndërtojë një repart mbrojtës më të shpejtë, teknik dhe të përshtatshëm për sistemin e tij të lojës.

Objektivat e Xabi Alonsos

Trajneri spanjoll u ka kërkuar drejtuesve disa përforcime të rëndësishme për të rindërtuar boshtin e skuadrës.

Mes emrave të përmendur janë:

Maxence Lacroix i Crystal Palace-it për qendrën e mbrojtjes. Álvaro Carreras i Real Madridit për krahun e majtë të mbrojtjes. Eduardo Camavinga, të cilin Alonso e konsideron përforcimin ideal për mesfushën. Maximilian Araújo i Sportingut si zëvendësues i mundshëm i Garnachos. Diogo Costa i Portos për portën. Jamie Gittens, i identifikuar si një nga objektivat kryesore për repartin sulmues.

Chelsea raportohet se ka paraqitur një ofertë të përmirësuar prej 50 milionë eurosh për Carrerasin. Për Diogo Costën po përgatitet një ofertë prej 40 milionë eurosh, megjithëse Porto kërkon rreth 60 milionë.

Maximilian Araújo vlerësohet ndërmjet 60 dhe 70 milionë eurove, ndërsa Camavinga shihet si goditja e madhe që do t’i jepte një tjetër nivel mesfushës londineze.

“Tërmeti” ka nisur në “Stamford Bridge”. Xabi Alonso dëshiron një Chelsea të ri, të ndërtuar sipas filozofisë së tij, ndërsa pesë emra të rëndësishëm duket se i kanë bërë gati valixhet.

FootballTransfers. Premier League