Football
Tirana është gati! Klafuriç: “Në derbi nuk ka favoritë”
Tirana është gati për derbin me Partizanin, që luhet të dielën në “Air Albania”, duke nisur nga ora 18:30. “Zonja e Vjetër” kërkon fitoren përballë rivalit historik, ndërsa trajneri i bardhebluve, Klafuriç, shprehet i kënaqur me përgatitjet dhe gatishmërinë e skuadrës.
Në prag të kësaj sfide, tekniku ka vlerësuar ndikimin e ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares:
“Pauza e Kombëtares kishte disa avantazhe dhe disavantazhe, por do të veçoja më tepër anët pozitive. E kemi përgatitur çdo gjë shumë mirë. Për mua është shumë e rëndësishme që lojtarët janë gati dhe për këtë jam i lumtur.”
Klafuriç do të përjetojë derbin e tij të parë në krye të Tiranës. Ai e njeh rëndësinë e kësaj përballjeje dhe e konsideron një nder të jetë pjesë e saj:
“E dija rëndësinë e kësaj sfide që prej fillimit dhe për mua është një nder i madh të jem pjesë e një derbi në Shqipëri! Kam qenë pjesë e derbit në Kroaci, por edhe e derbeve të tjera, si në Angli dhe në Varshavë. Ndihem i nderuar që tani jam në krye të Tiranës.”
Për gjendjen e skuadrës, trajneri konfirmon se grupi është i gatshëm, me përjashtim të Verës, i cili vijon të mungojë:
“Ne jemi gati dhe të gjithë jemi në kondicionin e duhur, përveç Verës, i cili mungon prej disa kohësh. Janë rikthyer edhe lojtarë të tjerë. Përveç pjesës taktike, kemi shtuar edhe stërvitjen në palestër, me programe të dedikuara fitnesi, për të rikuperuar futbollistët dhe për të qenë gati për derbin e së dielës.”
Presioni përpara një ndeshjeje të tillë është i pashmangshëm, por Klafuriç e sheh si motivim:
“Në futboll kjo është normale. Kam gjithë jetën në futboll dhe më pëlqen ky lloj presioni përpara derbit. Është diçka e mirë dhe na mban të karikuar. I uroj suksese trajnerit të Partizanit, por shpresoj që ta fitoj këtë sfidë.”
Për teknikun bardheblu, renditja nuk përcakton favoritin. Vendimtare do të jetë ajo që skuadrat tregojnë në fushë:
“Në derbi nuk ka favoritë. Derbi është derbi dhe renditja në klasifikim nuk ka rëndësi. E rëndësishme është të futesh në fushë dhe të japësh më të mirën. Ne duhet të tregojmë cilësinë tonë dhe kjo është më e rëndësishmja.”