
Trajnerët e huaj që synojnë të shkruajnë historinë në Botërorin 2026
Nga 48 kombëtare pjesëmarrëse, plot 26 do të drejtohen nga trajnerë të huaj, një shifër rekord që përfaqëson më shumë se gjysmën e skuadrave të kualifikuara.
Botërori FIFA 2026 pritet të sjellë emocione të jashtëzakonshme, por përveç garës mes yjeve dhe kombëtareve më të forta të planetit, një tjetër histori e madhe mund të shkruhet në Amerikën e Veriut. Pas 96 vitesh histori të Kupës së Botës, asnjë trajner i huaj nuk ka arritur të shpallet kampion bote me një kombëtare që nuk është vendi i tij. Në vitin 2026, ky rekord mund të marrë fund.
Nga 48 kombëtare pjesëmarrëse, plot 26 do të drejtohen nga trajnerë të huaj, një shifër rekord që përfaqëson më shumë se gjysmën e skuadrave të kualifikuara. Mes tyre gjenden disa prej favoritëve kryesorë për trofeun, duke e bërë këtë edicion ndoshta më të përshtatshmin për të thyer një nga tabutë më të mëdha të futbollit botëror.
Një nga emrat më të spikatur është padyshim ai i italianit Carlo Ancelotti, i cili ka marrë drejtimin e Brazilit. Për herë të parë në histori, “Seleçao” beson te një trajner i huaj për të rikthyer lavdinë botërore. Pas sukseseve të panumërta me klubet më të mëdha evropiane, Ancelotti synon t’i dhurojë Brazilit titullin e gjashtë botëror, ëndrrën e njohur si “Hexa”.
Një tjetër kandidat serioz është gjermani Thomas Tuchel, i cili drejton Anglinë. “Tre Luanët” kanë qenë shumë pranë suksesit në vitet e fundit, duke arritur finale dhe gjysmëfinale në turnetë madhorë. Federata angleze shpreson se eksperienca dhe mentaliteti fitues i Tuchel do të jenë çelësi për të rikthyer trofeun që mungon që nga viti 1966.
Në Portugali, spanjolli Roberto Martinez vazhdon projektin e tij ambicioz. Pas medaljes së bronztë me Belgjikën në Botërorin 2018, ai tani synon të udhëheqë një brez të artë portugez drejt titullit të parë në histori. Me lojtarë si Cristiano Ronaldo, Bruno Fernandes, Vitinha dhe Ruben Dias, portugezët besojnë se momenti i tyre ka ardhur.
Belgjika, ndërkohë, ka besuar te francezi Rudi Garcia. Edhe pse “Djajtë e Kuq” nuk kanë më të gjithë yjet e brezit të artë të vitit 2018, Garcia është i bindur se skuadra e tij mund të surprizojë dhe të luftojë për trofeun.
Në Amerikën e Veriut, vendet organizatore kanë zgjedhur gjithashtu trajnerë të huaj. Argjentinasi Mauricio Pochettino drejton Shtetet e Bashkuara, ndërsa amerikani Jesse Marsch ka marrë drejtimin e Kanadasë. Të dy synojnë të shfrytëzojnë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve për të realizuar paraqitje historike.
Një tjetër emër që nuk mund të lihet jashtë është argjentinasi Marcelo Bielsa, i cili udhëheq Uruguain. I njohur për filozofinë e tij unike dhe futbollin spektakolar, “El Loco” po përgatitet për Botërorin e tretë të karrierës dhe ëndërron të udhëheqë uruguaianët drejt një suksesi të madh.
Historia e Kupës së Botës ka treguar se zakonisht triumfojnë kombëtaret që drejtohen nga trajnerë vendas. Franca, Spanja dhe Argjentina, tre skuadrat më të renditura në botë aktualisht, vazhdojnë t’i besojnë teknikëve të tyre kombëtarë. Megjithatë, futbolli është sporti i surprizave dhe Botërori 2026 mund të jetë skena perfekte për të rrëzuar një rekord që ka qëndruar i paprekur për gati një shekull.
Pyetja mbetet e hapur: a do të vazhdojë tradita edhe për një tjetër edicion, apo një trajner i huaj do të bëhet më në fund njeriu që do të shkruajë historinë e re të futbollit botëror?