
ULDEDAJ MBETET MBRET I BOTËS!
Boksieri shqiptar mbron me sukses titullin IBO Cruiserweight në Wembley
Londër, Angli – Boksieri shqiptar Juergen Uldedaj vazhdon të shkruajë historinë në arenën ndërkombëtare të boksit. Në një mbrëmje të paharrueshme në OVO Arena Wembley në Londër, kampioni shqiptar triumfoi ndaj sfidantit Austine Nnamdi me vendim unanim të gjyqtarëve, duke mbrojtur me sukses titullin e tij botëror IBO Cruiserweight.
Pas 12 raundeve intensive dhe plot emocione, të tre gjyqtarët e vlerësuan ndeshjen me rezultatin 115-113 në favor të Uldedajt, duke konfirmuar epërsinë e kampionit shqiptar në një duel tepër të fortë dhe konkurrues.
Sfida mori një kthesë të papritur vetëm dy ditë para ndeshjes, kur kundërshtari fillestar, Muhsin Cason, nuk kaloi kontrollin mjekësor. Në vend të tij u paraqit Austine Nnamdi, i cili, megjithëse me shumë pak kohë përgatitjeje, zhvilloi një paraqitje të guximshme dhe i shkaktoi vështirësi kampionit gjatë gjithë mbrëmjes.
Megjithatë, përvoja, qetësia dhe cilësia teknike e Uldedajt bënë diferencën në momentet vendimtare, duke i siguruar shqiptarit mbrojtjen e parë të titullit botëror që ai fitoi në tetor të vitit 2025.
Pas triumfit, kampioni shqiptar ndau emocionet e tij me mbështetësit:
"Të dashur miq, me shumë krenari ju njoftoj se sonte mbrojta me sukses titullin botëror IBO Cruiserweight, duke fituar me vendim unanim në OVO Arena Wembley. Pas muajsh përgatitjeje, sakrifice dhe përkushtimi, arrita një tjetër objektiv të rëndësishëm në karrierën time."
Uldedaj falënderoi ekipin e tij, familjen, sponsorët dhe të gjithë tifozët që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, duke theksuar se përfaqësimi i Shqipërisë në skenën botërore mbetet motivimi i tij më i madh.
"Nuk ka fjalë që përshkruajnë krenarinë që ndiej duke përfaqësuar Shqipërinë në skenën botërore. Sonte festojmë një tjetër sukses, por fokusi mbetet tek sfidat që na presin përpara."
Me këtë fitore, Juergen Uldedaj konfirmon statusin e tij si një nga sportistët më të suksesshëm shqiptarë në arenën ndërkombëtare dhe dërgon një mesazh të qartë për rivalët e ardhshëm:
"And Still... IBO Cruiserweight World Champion!"