EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
“Vllaznia e Pandalshme! Shkodranet fitojnë titullin e 13-të radhazi dhe shikojnë drejt Europës” 🏆⚽🇦🇱 Football

“Vllaznia e Pandalshme! Shkodranet fitojnë titullin e 13-të radhazi dhe shikojnë drejt Europës” 🏆⚽🇦🇱

By Elite Vizion Plus ·

KFF Vllaznia ka shkruar edhe një kapitull të artë në historinë e futbollit shqiptar të vajzave, duke u shpallur kampione e Shqipërisë për sezonin 2025/2026. Skuadra shkodrane triumfoi në finalen e madhe të “Final 4”, ku mposhti Apoloninë me rezultatin e pastër 2-0 në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke siguruar titullin e 13-të radhazi kampion. Finalja u dominua nga kampionet në fuqi, të cilat treguan edhe një herë cilësinë dhe eksperiencën që i ka bërë skuadrën më të suksesshme në futbollin e vajzave në Shqipëri. Kapitenia dhe golashënuesja e njohur Megi Doçi zhbllokoi rezultatin në minutën e 32-të, duke i dhënë avantazhin Vllaznisë. Në pjesën e dytë, Teresa Deda vulosi fitoren me golin e dytë në minutën e 81-të, duke siguruar festën e madhe kuqeblu. Pas përfundimit të ndeshjes, ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut u zhvillua në një atmosferë festive. Kupën e kampiones e ngritën vajzat shkodrane pasi medaljet dhe trofeu u dorëzuan nga Zëvendëspresidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha. Skuadra e drejtuar nga trajneri Lazër Matija zhvilloi një sezon pothuajse perfekt. Vllaznia e mbylli fazën e rregullt me 15 fitore dhe vetëm 1 barazim, duke konfirmuar epërsinë absolute ndaj rivalëve. Më pas, në gjysmëfinale, eliminoi Gramshin për të siguruar finalen dhe për të vazhduar marshimin drejt një tjetër trofeu. Ky sukses nuk sjell vetëm lavdi kombëtare. Falë rezultateve të shkëlqyera të Vllaznisë në arenën europiane gjatë viteve të fundit, Shqipëria do të përfaqësohet me dy skuadra në kualifikueset e UEFA Women’s Champions League. Kampionia Vllaznia dhe finalistja Apolonia do të kenë mundësinë të mbajnë lart flamurin shqiptar në kompeticionin më prestigjioz të futbollit europian për vajza. Me titullin e 13-të radhazi, Vllaznia vazhdon të vendosë standarde të reja dhe të forcojë statusin e saj si skuadra më dominuese në historinë e futbollit të vajzave në Shqipëri.

FootballSuper liga