EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Zoti Kryeministër, sporti nuk mbahet me duartrokitje!
Amarildo Gjok Gjeçi
Opinion

Zoti Kryeministër, sporti nuk mbahet me duartrokitje!

Nëse duam sport europian, pse vazhdojmë të kemi frikë nga mekanizmat europianë të financimit të tij?

By Amarildo Gjok Gjeçi ·

Zoti Kryeministër, sa herë një sportist shqiptar ngre flamurin në një arenë ndërkombëtare, të gjithë duam të jemi pranë tij. Dalja në fotografi është e lehtë. Urimi është falas. Krenaria kombëtare gjithashtu. E vështira fillon shumë më herët… Fillon te klubi që mezi mbyll muajin. Te trajneri që punon me kushte modeste. Te sportisti që kërkon një sponsor. Te presidenti i një klubi që duhet të bindë një biznes të fusë para në sport, ndërkohë që shteti ende nuk i ka krijuar atij biznesi një mekanizëm të thjeshtë dhe serioz që investimin në sport t’a bëjë tërheqës. Projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet” hodhi në tavolinë pikërisht një mundësi të tillë. Në draft parashikohet që sponsorizuesit në art, kulturë dhe sport të mund të përfitojnë kreditim tatimor deri në 30% të tatimit mbi fitimin, sipas kushteve të përcaktuara në projektligj.  Kjo nuk është dhuratë për sportin, por është investim. Sepse shteti nuk mund të kërkojë sport profesionist, klube të forta, akademi moderne, medalje, stadiume plot dhe përfaqësim dinjitoz në Europë, ndërsa financimin ta trajtojë si një problem privat të atyre që merren me sport. Dhe këtu lind një pyetje shumë e thjeshtë… Nëse duam sport europian, pse vazhdojmë të kemi frikë nga mekanizmat europianë të financimit të tij? Marrim një shembull të thjeshtë. Kosova, prej vitesh ka ndërtuar një kuadër të posaçëm ligjor për sponsorizimet në kulturë, rini dhe sport. Ndoshta, sipas logjikës sonë, duhet të jenë ata të prapambetur, ata që krijojnë lehtësi që kapitali privat të hyjë në sport. Ndërsa ne duhet të jemi modernët, që flasim për sportin, fotografohemi me kampionët dhe pastaj i lëmë klubet të trokasin derë më derë për të gjetur financim. Ironi, natyrisht. Por një ironi që sportit shqiptar i kushton shumë. Zoti Kryeministër, sporti nuk kërkon lëmoshë. Nuk kërkon që shteti të paguajë gjithçka… Përkundrazi. Sporti kërkon që shteti të krijojë rregullat që e bëjnë të mundur që privati të investojë. Kjo është diferenca mes subvencionit dhe vizionit. Një ligj i mirë sponsorizimi nuk i merr para ekonomisë. Ai krijon një urë mes ekonomisë dhe sportit. E kthen biznesin nga spektator në partner dhe klubin nga lypës fondesh në një strukturë që mund të ndërtojë projekt, akademi dhe të ardhme. Dhe mbi të gjitha, krijon përgjegjësi. Sepse kur kërkon para private për sportin, ke të drejtë të kërkosh edhe transparencë absolute për çdo qindarkë të investuar. Pra… KONTROLL MAKSIMAL. TRANSPARENCË MAKSIMALE. ABUZIM ZERO.� Por edhe, burokraci minimale dhe stimul real për atë që investon. Projektligji është diskutuar publikisht dhe vetë institucionet e kanë paraqitur si një bazë për mbështetjen e artit, kulturës dhe sportit.  Atëherë çojeni deri në fund. Mos e lini sportin shqiptar përsëri në dhomën e pritjes. Sepse kampionët nuk prodhohen ditën kur fitojnë medaljen. Prodhohen vite më parë, në palestrën e ftohtë, në fushën e lagur, në akademinë pa para, te familja që paguan nga xhepi dhe te biznesmeni që ende pyet veten… “Pse duhet të investoj në sport?” Detyra e një shteti që mendon për të ardhmen është t'i japë atij një përgjigje. Jo një pengesë tjetër. Zoti Kryeministër, sporti shqiptar nuk ka nevojë për një tjetër premtim.�Ka nevojë për një ligj që funksionon. Dhe të funksionojë jo vetëm kur një shqiptar ngjitet në podium dhe ne kujtohemi sa shumë e duam sportin. Por sidomos atëherë kur askush nuk po shikon. Aty fillon sporti. Aty duhet të fillojë edhe shteti. Me respekt, Amarildo Gjeçi!

OpinionOPINION