EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
ZYRTARE/ Altin Aliu vishet i kuq, Partizani prezanton goditjen e parë në merkato
FK Partizani
Football

ZYRTARE/ Altin Aliu vishet i kuq, Partizani prezanton goditjen e parë në merkato

“Do të jap gjithçka për të arritur suksese të mëdha këtë sezon. Besoj se tifozët nuk do të zhgënjehen.”

By Elite Sport Vizion ·

Partizani ka zyrtarizuar përforcimin e parë në merkaton e verës. Altin Aliu është futbollisti më i ri i të kuqve, pasi ka firmosur një kontratë njëvjeçare me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër.

Sulmuesi anësor 26-vjeçar vjen pas një sezoni të suksesshëm me Malishevën, skuadër me të cilën u shpall nënkampion i Kosovës. Aliu ishte një nga lojtarët më të spikatur të ekipit, duke realizuar tetë gola dhe dhuruar tre asistime.

I lindur në Gjilan, Aliu luan kryesisht në krahun e majtë të sulmit, por mund të aktivizohet gjithashtu në të djathtë ose në rolin e qendërsulmuesit. Ai është formuar në akademinë e Gjilanit dhe gjatë karrierës së tij ka përfaqësuar edhe Vllazninë e Pozheranit, Lirinë, Flamurtarin e Prishtinës dhe Malishevën.

Kalimi te Partizani do të shënojë eksperiencën e tij të parë në kampionatin shqiptar. Për shërbimet e tij kishin shfaqur interes edhe Elbasani dhe Vllaznia, por të kuqtë arritën ta fitonin garën për firmën e sulmuesit kosovar.

Pas nënshkrimit të kontratës, Aliu udhëtoi drejt Pogradecit, ku do t’i bashkohet menjëherë skuadrës në fazën përgatitore dhe do të vihet nën urdhrat e trajnerit Florin Bratu.

“Jam shumë i lumtur që i jam bashkuar familjes së Partizanit dhe ‘Demave të Kuq’. Besoj dhe shpresoj se do të realizojmë objektiva të mëdhenj, ashtu siç më kanë folur edhe për këtë klub. Do të organizohemi dhe do të punojmë fort për të përmbushur pritshmëritë”, deklaroi Aliu gjatë prezantimit.

Futbollisti i ri i Partizanit kishte edhe një mesazh të veçantë për tifozët e kuq:

“Do të jap gjithçka për të arritur suksese të mëdha këtë sezon. Besoj se tifozët nuk do të zhgënjehen.”

Me afrimin e Altin Aliut, Partizani nis zyrtarisht përforcimin e skuadrës për sezonin e ri, ndërsa drejtuesit pritet të realizojnë edhe lëvizje të tjera për ta vendosur ekipin në garë për objektivat madhorë.

FootballTransfers.