EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
ZYRTARE: FK Partizani prezanton stafin teknik për sezonin 2026–2027.
FK Partizani
Football

ZYRTARE: FK Partizani prezanton stafin teknik për sezonin 2026–2027.

Përvojë rumune në shërbim të Partizanit

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

TIRANË – FK Partizani ka zyrtarizuar përbërjen e plotë të stafit teknik që do të drejtojë skuadrën në sezonin 2026–2027, duke shtuar tre emra të rinj nga Rumania në ekipin e trajnerit Florin Bratu.

Klubi i kuq ka emëruar Mircea Ovidiu Dănănae si ndihmëstrajner, Florin Iană si ndihmëstrajner dhe analist video, ndërsa Andrei Mihnea Neagu do të jetë përgatitësi atletik. Ata do t'i bashkohen stafit ekzistues, duke kompletuar ekipin teknik që do të punojë me skuadrën gjatë sezonit të ri.

Stafi teknik i FK Partizani (2026–2027) 🇷🇴 Florin Bratu – Trajner i parë 🇷🇴 Mircea Ovidiu Dănănae – Ndihmëstrajner 🇷🇴 Florin Iană – Ndihmëstrajner & Analist Video 🇷🇴 Andrei Mihnea Neagu – Përgatitës Atletik 🇦🇱 Realf Zhivanaj – Ndihmëstrajner i dytë 🇦🇱 Alban Hoxha – Trajner i portierëve 🇦🇱 Oriand Abazaj – Përgatitës Atletik Përvojë rumune në shërbim të Partizanit

Emri më i njohur mes afrimeve të reja është Mircea Ovidiu Dănănae, ish-mbrojtësi i kombëtares së Rumanisë, i cili zhvilloi një karrierë 17-vjeçare si futbollist profesionist. Ai numëron mbi 160 paraqitje me Universitatea Craiova, ndërsa ka luajtur edhe për Steaua Bukuresht dhe Apollon Limassol. Me përfaqësuesen rumune regjistroi katër ndeshje ndërkombëtare.

Pas tërheqjes nga futbolli, Dănănae kaloi në pankinë dhe ka qenë pjesë e stafeve teknike të FC U Craiova, Gloria Buzău, Viitorul Târgu Jiu dhe Metaloglobus București, ku bashkëpunoi ngushtë me Florin Bratun. Ai zotëron licencën UEFA A dhe njihet për punën në aspektin taktik, analizën e kundërshtarëve dhe organizimin e situatave standarde.

Analiza moderne dhe shkenca sportive

Florin Iană, vetëm 32 vjeç, konsiderohet një nga analistët më të vlerësuar të videos në futbollin rumun. Ai ka punuar për disa vite me FCU 1948 Craiova dhe është specializuar në analizën taktike, studimin e kundërshtarëve dhe përgatitjen e raporteve teknike për stafin drejtues.

Ndërkohë, Andrei Mihnea Neagu sjell eksperiencë në fushën e përgatitjes fizike dhe shkencës sportive. Ai është i specializuar në përmirësimin e performancës atletike, parandalimin e dëmtimeve, rikuperimin fizik dhe optimizimin e gjendjes së lojtarëve gjatë sezonit.

Vazhdimësi me emrat kuqezi

Pjesë e stafit mbeten edhe tre figura të rëndësishme shqiptare.

Realf Zhivanaj, ish-futbollist dhe trajner me licencë UEFA B, vazhdon si ndihmëstrajner pas punës së tij me Partizanin dhe Partizanin B.

Legjenda e klubit Alban Hoxha, i cili së fundmi i dha fund karrierës si futbollist, nis një kapitull të ri si trajner i portierëve. Ish-kapiteni i të kuqve dhe rekordmeni i Superiores për minutat pa pësuar gol do të ketë tani detyrën e zhvillimit të portierëve të skuadrës së parë.

Në sektorin e përgatitjes fizike do të vazhdojë edhe Oriand Abazaj, ish-futbollist i njohur i kampionatit shqiptar, i specializuar në metodologjitë moderne të stërvitjes, monitorimin GPS të ngarkesës fizike dhe parandalimin e dëmtimeve.

Gati për sezonin e ri

Me një kombinim të eksperiencës rumune dhe njohjes së kulturës së klubit nga stafi shqiptar, Partizani synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për sezonin 2026–2027. Drejtuesit e klubit besojnë se struktura e re teknike do t'i japë ekipit stabilitet, profesionalizëm dhe një identitet të qartë loje në objektivat për kampionatin dhe garat europiane.

FootballFIFA World Cup 2026