EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
ZYRTARE: LEDIAN MEMUSHAJ EMËROHET TRAJNER I RI I TEAM ALTAMURA Football

ZYRTARE: LEDIAN MEMUSHAJ EMËROHET TRAJNER I RI I TEAM ALTAMURA

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

Team Altamura ka njoftuar zyrtarisht emërimin e Ledian Memushajt si trajnerin e ri të skuadrës së parë për sezonin 2026/27 në Serie C.

Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, i lindur në vitin 1986, merr drejtimin e klubit italian pas një karriere të pasur si futbollist në Serie A, Serie B dhe me fanellën kuqezi.

Memushaj mbërrin tek Altamura pas një përvoje shumë pozitive në drejtimin e Leon, skuadër nga Lombardia që militon në Serie D. Në sezonin e fundit, ai arriti ta udhëhiqte ekipin deri në fazën “play-off”, duke u vlerësuar për punën dhe idetë e tij taktike.

Trajneri shqiptar zëvendëson në këtë detyrë Davis Mangian dhe tashmë ka përcaktuar edhe përbërjen e stafit teknik për sezonin e ri.

Stafi teknik i Ledian Memushajt Mattia Evangelisti – Zëvendëstrajner Lorenzo Giunta – Analist i ndeshjeve Gianni Iurino – Trajner i portierëve Luigi Romano – Përgatitës atletik

Iurino dhe Romano do të vazhdojnë detyrën e tyre edhe në sezonin e ardhshëm, pasi janë konfirmuar nga drejtuesit e klubit.

Objektivi i Team Altamura për kampionatin e ardhshëm është vazhdimi i konsolidimit mes skuadrave profesioniste të futbollit italian, duke u mbështetur në një filozofi loje sulmuese dhe aktive.

Në njoftimin zyrtar, klubi i ka uruar mirëseardhjen trajnerit shqiptar:

“Shoqëria i uron mirëseardhjen Mister Memushajt dhe punë të mbarë në drejtimin e Altamura SS.”

Për Ledian Memushajn, kjo përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij si trajner, pas eksperiencës së suksesshme në Serie D. Tashmë, ish-mesfushori kuqezi do të ketë mundësinë të tregojë aftësitë e tij edhe në një kampionat profesionist si Serie C.

FootballKuqezi